Siç kishte paralajmuar, Presidenti i Republikës Bujar Nishani do të zhvillojë sot në Presidencë, një takim konsultues me konstitucionalistë, ekspertë ligjore dhe akademikë për t’i dhënë zgjidhje një vakumi ligjor të krijuar lidhur me Këshillin e Emërimeve në Drejtësi: mungesën e një ligji që përcakton kriteret për shkallën e kualifikimit të atyre që kandidojnë për anëtarë.
Takimi vjen një ditë para takimit me përfaqësuesit e grupeve parlamentare, me qëllim që Presidenti të kishte një mendim profesional të konsultuar, siç u shpreh vetë kreu i shtetit më 5 gusht.
Nishani shpjegoi nëkonferencën e shtypit të së premtes se “institucioni i Presidentit të Republikës ndodhet në një situatë ku nga njëra anë Kushtetuta i kërkon që brenda 5 ditëve nga hyrja në fuqi të hedhë shortin për zgjedhjen e 9 anëtarëve të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi dhe po Kushtetuta, në pikën 5 të saj, i kërkon që kriteret për shkallën e kualifikimit të atyre që kandidojnë për anëtarë të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi përcaktohen me ligj ndërkohë që nuk kemi një ligj.
Kam nisur disa hapa paraprakë. Para disa ditësh kam vendosur një kontakt zyrtar me Kuvendin e Shqipërisë, të cilit i kam bërë me dije këtë problematikë që shfaqet brenda të njejtit nen të amendamentit kushtetues.
Kam një korrespodencë deri tani me Kuvendin e Shqipërisë, korrespodencë në kontekstin administrativ, me trupën administrative të Kuvendit dhe njëkohësisht kam parashikuar, në kuadër të përpjekjeve dhe angazhimeve të mia si President i Republikës, të fotj për një takim konsultativ – në vijim edhe të traditës që kemi në presidencë, të konsultës me grupet parlamentare – përfaqësues nga grupet parlamentare të Kuvendit, ditën e martë, në orën 11:00, në institucionin e Presidentit, për të diskutuar rreth këtij shqetësimi, kësaj problematike që është shfaqur, për të koordinuar me Kuvendin, me të gjitha grupet parlamentare të Kuvendit, qasjen më të mirë, zgjidhjen më të përshtatshme të kësaj çështjeje, të kësaj sfide që del tashmë në zbatimin e amendamenteve të reja kushtetuese, për të tejkaluar atë në mënyrën më të mirë të mundshme, qoftë në respekt të Kushtetutës, qoftës në respekt të procedurave ligjore që thotë Kushtetuta në të njejtin nen të saj.”