Një tjetër bankë bëhet shënjestër e grabitësve. Mësohet se një bankë në zonën e ish-bllokut në Tiranë është tentuar të grabitet gjatë natës, por sipas policisë autorët kanë dështuar.
E njoftuar nga punonjësit e bankës, policia ka mbërritur në vendin e ngjarjes dhe ka nisur hetimet.
Paraprakisht burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se grabitësit kanë çarë murin që të çon tek kasaforta. Bëhet fjalë për një çarje në murin e bankës 50 me 30, tek dhoma e kasafortës.
Gazetarja Dorjana Bezat raportoi se kasaforta ndodhet në bankë, e pa dëmtuar dhe e palëvizur dhe ekspertë të policisë do të bëjnë këqyrjen e saj për të verifikuar nëse është vjedhur gjë apo jo.
Policia ka marrë në pyetje punonjësit e sigurisë, ndërkohë që janë sekuestruar edhe pamjet e kamerave të sigurisë.
NJOFTIMI I POLICISË
Tiranë, në rrugën “Ismail Qmali”, tek BKT Bank, është konstatuar nje carje ne murin e bankes 50 me 30, tek dhoma e kasafortes. Kasaforta duket e pa prekur, por priten punonjësit e Bankës për të verifikuar kasafortën dhe a ka ndodhur vjedhje apo ka mbetur në tentativë. Grupi hetimor në vendin e ngjarjes po punon për gjetjen e autorëve të kësaj vepre.