Treguesi më i rëndësishëm i cilësisë së grurit është sasia dhe përmbajtja e proteinave në kokrrat e kësaj kulture. Standard ndërkombëtar për grurin, merret përmbajtja e proteinave në kokrra prej 13.5 %. Edhe në periudhën e pas luftës prodhimtaria e pamjaftueshme vendore po na detyron të shpenzojmë sasi të mëdha e marramendëse të mjeteve materiale për importin e grurit merkantil, farës së grurit, miellit të grurit dhe prodhimeve të tjera konditore të kësaj kulture. Nga gruri i importuar industria e blojës prodhon miellin e grurit që përfaqëson lëndën e parë në furrat e bukës, nga të cilat ne konsumatorët kërkojmë “sasi të duhur, cilësi përkatëse me çmime të arsyeshme”. Kultivarët e grurit me peshë më të lartë hektolitare realizojnë randman më të lartë të miellit, andaj ky parametër mund të shërbejë si vlerë e përafërt për vlerësim në industrinë e blojës. Gruri i mirë ka peshë hektolitare më të lartë se 76 kg.
Gruri përfaqëson artikullin më të rëndësishëm në tregtinë ndërkombëtare, duke nxitur zhvillimin e trafikut, andaj konsiderohet si kultura bujqësore me rëndësinë më të madhe strategjike. Gruri, para së gjithash, shfrytëzohet për përfitimin e bukës. Me bukë gruri sot ushqehen rreth 70 % të popullatës në botë. Buka e grurit për vlera ushqyese dhe kalorike e kalon edhe atë të thekrës. Buka e grurit dallohet me përmbajtje të larta të proteinave (16 – 17 %), karbohidrateve (77 -78 %), yndyrave (1.2 – 1.5 %) dhe tretëshmshëri të mirë. Treguesi më i rëndësishëm i cilësisë së grurit është sasia dhe përmbajtja e proteinave në kokrrat e grurit. Standard ndërkombëtar për këtë kulturë merret përmbajtja e proteinave në kokrrat e grurit prej 13.5 %. Përmbajtja e proteinave dukshëm ndryshon varësisht nga regjioni kultivues dhe mënyra e ushqimit. Gruri që kultivohet në viset lindore dhe jugore karakterizohet me përmbajtje më të lartë të proteinave, në raport me grurin që kultivohet në viset perëndimore dhe veriore. Sasia e proteinave në bukën e grurit është mjaft e lartë, andaj në vlerësimet e veçorive në furra të bukës, prioritet i jepet sasisë së veshtullës (ngjitësit). Në përbërjen e veshtullës rëndësi të veçantë kanë thërrmijat proteinike të gliadinit dhe gluteninit.
Sa i përket prodhimit të grurit, Kosova nuk i plotëson kërkesat nga prodhimi i brendshëm. Kjo është arsyeja kryesore që mullinjtë dhe furrat e bukës në vendin tonë, importojnë sasi të mëdha të grurit merkantil dhe miellit të grurit, nga vendet për rreth. Prodhimin vendor të grurit në konditat tona e karakterizojnë rendimentet e ulëta. Mesatarja e prodhimit vendor të grurit në Kosovë sillet rreth 3, 5 t/ha, për derisa në vendet tjera kjo mesatare është shumë më e lartë dhe arrin edhe mbi 6, 0 t/ha. Faktorët klimatik, veçoritë e tokave, përdorimi i repromaterialeve jopërkatëse, teknologjia e ulët kultivuese etj., janë disa nga faktorët kufizues të prodhimit të kësaj kulture strategjike dhe shkaktarët kryesor të sairave të mëdha të importit të grurit.
Pavarësisht, se ne posedojmë sipërfaqe të mira kultivuese, ngastra ideale, rendimente të larta në raste individuale edhe mbi 7, 0 t/ha, prodhimin e gjithëmbarshëm në shkallë vendore, akoma e kemi me mesatare shumë të ulët dhe me cilësi jo përkatëse. Edhe në periudhën e pas luftës, prodhimtaria e pamjaftueshme e grurit vendor, po na detyron të shpenzojmë sasi të mëdha e marramendëse të mjeteve materiale (parave) për importin e grurit merkantil, farës së grurit, miellit të grurit dhe prodhimeve tjera konditore të kësaj kulture. Kërkesat për produkte të grurit nga industria ushqimore, janë në rritje të konsumit. Nga gruri i importuar, industria e blojës prodhon miellin e grurit që përfaqëson lëndën e parë në furrat e bukës, nga të cilat ne konsumatorët kërkojmë “sasi të duhur, cilësi përkatëse me çmime të arsyeshme”.
Gruri ka rëndësi strategjike në industri të ndryshme ushqimore si: të blojës, të keksëve, bukës, ëmbëlsirave, etj. Buka e grurit është e pasur me vitamina B kompleks (B1, B2 PP etj. ) dhe elemente të rëndësishme për organizmin e njeriut (Ca, P, Fe). Himet (krundet) e grurit, përfaqësojnë prodhimin dytësor gjatë bluarjes së miellit, nga mbështjellësi, embrioni dhe shtresa aleoronike dhe shfrytëzohen në blegtori si ushqim i çmuar i koncentrateve. Në hime ka mjaftë proteina, amidon, sheqerna, yndyra dhe shumë më tepër celulozë sesa në miell (9%). Në blegtorinë ekstensive kashta, e sidomos byku, shërbejnë për ushqimin e bagëtisë. Në shumicën e ekonomive bujqësore kashta shërben për shtrojë. Në asociacion me leguminozet, gruri është kulturë cilësore për ushqim të bagëtisë.
Me gjithë zhvillimin e madh të tregtisë së grurit dhe të korrurave shumë të mira, në botë vazhdimisht paraqiten mungesa të kësaj kulture për dy arsye:
a. Rritja e numrit të banorëve në raport me rritjen e prodhimeve të grurit dhe
b. Pabarazia e madhe në efektivitetin e prodhimit bujqësor (prodhimet e grurit në vendet e pazhvilluara dhe në vendet në zhvillim janë shumë të ulëta sesa në vendet e zhvilluara.
Importi i kontingjenteve të konsiderueshme të grurit, nga vendet për rreth, shpesh po na karakterizohet edhe me afera nga më të ndryshmet për parametra të caktuar. Kjo për faktin se, ose profesionalizmi nuk po vjen në shprehje, apo zinxhiri i krijuar në tregtimin e grurit është jo i qëlluar. Ngjashëm si çdo produkt tjetër i caktuar, edhe gruri merkantil përkatësisht mielli i tij, ka standarde të caktuara që parashihen për tregtim.
Pesha hektolitare është parametër i pranuar ndërkombëtarisht, në tregtimin e grurit si pikë referuese për cilësi të grurit, për shkak të ekzekutimit të thjeshtë dhe të shpejtë të saj. Nga kultivarët e grurit me peshë më të lartë hektolitare realizohet randman më i lartë i miellit, andaj ky parametër mund të shërbejë si vlerë e përafërt për vlerësim në industrinë e blojës. Gruri i mirë, ka peshë hektolitare më të lartë se 76 kg.
Pamjaftueshmëria e prodhimit vendor të grurit dhe çmimet e larta të repromatrialeve për mbjelljen e kësaj kulture, si një nga kulturat prioritare strategjike për një vend, i detyrojnë mekanizmat qeveritar ta mbështesin këtë prodhimtari, dukuri kjo që ka filluar vite më parë edhe në vendin tonë. Megjithatë, masat stimulative duhet monitoruar nga mekanizmat ekzekutiv, sepse në të kundërtën përkrahjet e prodhimeve strategjike, kur rezultatet mungojnë nuk do të kishin ndonjë logjikë agronomike. Të dhënat e viteve kontinuele, nga fillimi i mbështetjeve të prodhimeve strategjike deri me tani, nuk koincidojnë me ndonjë indikatorë përmirësues për prodhimin e realizuar.