Në mbledhjen e jashtëzakonshme të qeverisë së Maqedonisë është marrë vendimi që e hëna të shpallet ditë zie në Maqedoni.
Qeveria solli vendimin që të shpallet gjendje të jashtëzakonshme në kohëzgjatje prej 15 ditëve në pjesën e Tetovës dhe në rajonin e Shkupit si dy prej pjesëve më të prekura nga vërshimet e djeshme.
Përveç kësaj në mbledhjen e Qeverisë është vendosur që të jepen 5 mijë euro dëmshpërblim për një banor nga pjesët e përmbytura. Në mënyrë plotësuese do të formohet edhe një komision për verifikim dhe vlerësim të dëmeve të cilat më pas do të kompensohen. Përveç 22 viktimave deri tani të verifikuara në Hasanbeg, Stajkovcë, Smillkovë e të tjerë, ka edhe shumë të lënduar. Nuk dihet nëse familjeve që kanë humbur pjesëtarë të familjes do tu jepen kompensime shtesë.
Update: Seancë e re e jashtëzakonshme e Qeverisë
Shkup, 7 gusht – Për sonte është caktuar seancë e re e jashtëzakonshme e Qeverisë, njofton Zhurnal.
Në këtë seancë do të debatohet për masat në ndihmë për familjet e prekura nga vërshimet që ndodhën natën e djeshme në Shkup e rrethinë.
…
Update: Përfundon mbledhja e Qeverisë: Nesër ditë zie, familjeve të viktimave ju ndahet nga 5 mijë euro
Shkup, 7 gusht – Sapo ka përfunduar mbledhja e qeverisë së Maqedonisë, ku është diskutuar për situatën e tanishme në rajonin perëndimor dhe atë të Shkupit, pas përmbytjeve të mbrëmshme, të cilat morën jetët e 21 personave.
Siç u bë e ditur me herët, qeveria ka shpallur ditë zie, ditën e nesërme. Gjithashtu, është vendosur që familjeve të viktimave t’u jepet një dëmshpërblim prej 5000 euro, si edhe të ngritet një komision për verifikimin dhe vlerësimin e dëmeve, e më pastaj të bëhet kompenzimi i tyre.
Top lajm: Ora 16:30 qeveria mban mbledhje të jashtëzakonshme
Shkup, 7 gusht – Zv.ministri i mbrojtjes Bekim Maksuti ka paralajmëruar për seancë të jashtëzakonshme të Qeverisë sot në ora 16.30 pas situatës kritike që përfshiu Shkupin me rrethinë, veçmas fshatrat Hasanbeg, Haraçinë dhe tjera.
Ai me këtë rast thotë se edhe në takimin e sotëm me Qendrën për menaxhim me kriza ku ka qenë i pranishëm ai dhe qeveritarë tjerë shqiptarë janë sjell disa konkluza, veçmas ajo që t’u dilet ndihmë banorëve të prekur nga vërshimet dhe të sanohen dëmet e shkaktuara.
“Vazhdon prania në terren nga ana e armatës. Madje, ne ndërmorëm gjitha masat që t’u dilet në ndihmë banorëve, ndihmuam me ujë, mjete sanitare, disa prej tyre edhe të zhvendosen nga pikat kritike. Me pjesëtarë të armatës, pra me automjete speciale ne kemi qenë në terren diku rreth 400 ushtarë përfshirë edhe ditën e sotme që e kemi ndarë me policinë të cilët edhe ata kanë intervenuar në pjesë tjera të caktuara në terren”, ka thënë për Aktuale.mk, Maksuti duke shtuar se me këtë intervenim të tyre kanë shpëtuar shumë jetë njerëzish.
Ai thotë se gjëja më mirë e mundshme ka qenë të intervenohet sa më shpejtë e mundur, thotë se prej mbrëmë kanë qenë në terren, ndërsa kanë intervenuar edhe në Tetovë. “Atje nuk ka ndodhur më e keqja, tre fshtra kanë qenë të bllokuar, por mëngjesin e sotëm arritëm që ata tre fshatra t’i zhbllokojmë dhe normalizojmë gjendjen”, ka thënë ai. Si qeveri shton ai, do bëjmë çmos që t’u dilet në ndihmë banorëve dhe të sanohen dëmet. Ai paralajmëron ndihma për banorët e prekur nga vërshimet, si nga Komuna e Gazibës, qyteti i Shkupit si ashtu dhe Komuna e Çairit.