Që nga marrëveshjet rajonale si ajo e CEFTA-s e deri te luftrat tregëtare, vendet e rajonit kanë parë e përjetuar luhatje të forta që i kanë shkundur mirë teksa ëndërrojnë për një Shengen Ballkanik. Megjithëse shkëmbimet tregtare mes këtyre vendeve duket se kanë një stabilizim, jo të gjitha vendet kanë përfituar në mënyrë të barabartë nga marrëveshjet e përbashkëta. Kjo shpesh edhe për shkak të mungesës së konkurrueshmërisë në standarte.
Por çfarë eksporton dhe importon Shqipëria në rajon? Thënë thjesht, çfarë blejmë e çfarë shesim në Kosovë, Serbi, Maqedoni e vendet e tjera të Ballkanit? Sipas të dhënave të siguruara nga AgroWeb, tek Ministria e Bujqësisë, vendin e parë për eksportet nga Shqipëria ndër vendet e rajonit, në 9 mujorin e parë të 2015-tës e zë Kosova me një vlerë prej 11 Milion Euro.
Po nga cili vend i rajonit marrim më shumë produkte bujqësore? Në këtë pikë, partneri ynë kryesor është Serbia me një vlerë prej rreth 35 milion Euro. Madje, pikërisht Serbia rezulton eksportuesi më i madh tregëtar edhe në Kosovë sipas të dhë- nave më të fundit nga Agjencia e Statistikave e Kosovës. Produkti kryesor që Shqipëria merr nga Serbia është gruri. Gruri, thekra e misri janë produktet që mbizotërojnë në tabelën e importeve nga Serbia në 9 mujorin e parë të 2015-tës. Shifrat e Ministrisë së Bujqësisë mbështeten edhe nga shifrat e raportit “Doing Business in Albania Exporter Guide 2015”, publikuar në faqen e Departamentit Amerikan të Bujqësisë USDA.
Në këtë raport lidhur me grurin thuhet se konsumi i grurit në Shqipëri mbulohet kryesisht nga importi. Shqipëria importon mesatarisht 260,000 -300,000 ton grurë në vit, 49% të të cilit nga Rusia dhe menjëherë pas saj 28% nga Serbia. Në të kaluarën ka pasur disa përpjekje sporadike për të importuar grurë nga Shtetet e Bashkuara, por pengesë kryesore mbetet infrastruktura e dobët në portet shqiptare. Edhe pse ka ende problem lidhur me madhësinë e anijeve të trasportit, ka një potencial të mirë për eksporte nga SHBA, thuhet në raport. Qeveria Shqiptare po planifikon të zgjerojë portin dhe të rrisë kapacitetet e magazinimit në mënyrë që të maksimizojë përfitimet ekonomikë në rrugën Durrës-Kukës. Shqipëria prodhon sasi të mëdha misri, më së shumti për ushqim për kafshët, megjithatë në vitin 2013 importoi rreth 150,000 ton misër dhe ushqim për kafshët me një vlerë prej 45 Milion Dollarë.
Konkurrentët më të fortë për Shtetet e Bashkuara për grurin dhe misrin në Shqipëri janë vendet e Lindjes, kryesisht Rusia dhe Ukraina, ashtu si edhe Argjentina, thuhet në raport. Edhe sipas shifrave të Open Data Albania, mbi importin e grurit sipas origjinës 2001-2013, Rusia dhe Serbia kryesojnë listën e vendeve nga ku Shqipëria ka importuar këtë produkt. Sipas analizës së të dhënave marrë nga International Trade Centre, në vitin 2013 Rusia zë vendin e parë për import të grurit dhe përzjerjes grurë-thekër me 65.1% e ndjekur nga Serbia me 11.5% dhe Franca me 9.7%. “Mbillni agrume portokaj e ullinj dhe jo grurë”, ishte një nga këshillat që në vitin 1959 ish kryeministri shqiptar Mehmet Shehu mori nga ish-udhëheqësi i Bashkimit Sovjetik Hrushovi, kur ky i fundit gjatë udhëtimit në Shqipëri pa fusha të tëra të mbjella me grurë.
Në vijim të këshillës Hrushovi premtoi se Rusia mund të na jepte grurë sa të donim pasi aq grurë sa i duhej Shqipërisë për një vit konsumohej nga brejtësit në hambarët e Moskës. Në rajon shesim perime, blejmë grurë. Përsa i përket eksporteve bujqësore me vendet e CEFTA-s, ndër produktet kryesore që Shqipëria importon në Kosovë janë perimet si domate, kastraveca e lakra, fruta dhe ujë i ambalazhuar. Menjëherë pas saj vendin e dytë e zë Serbia e ndjekur nga Maqedonia, Mali i Zi, Bosnja dhe Hercegovina, Kroacia e në fund Moldavia.
Eksportet dhe Importet me vendet e CEFTA-s Janar-Gusht 2015. Burimi: Ministria e Bujqësisë. Në Serbi, Shqipëria gjatë 9 mujorit të parë të 2015-tës ka eksportuar kryesisht domate, kastraveca, pjepër e shalqinj. Në Maqedoni veç perimeve vend zënë edhe bimët medicinale, në Mal të Zi dhe Bosnje dhe Hercegovinë kryesisht perime, në Kroaci peshk të përpunuar, perime, e bimë medicinale, në Moldavi domate dhe lakra. Ndërsa ndër importe pas Serbisë me grurin, vendin e dytë e zë Maqedonia me gjedhë të gjalla, qumësht, perime, vaj luledielli, rrush, pjeshkë apo maja birre. Më pas Kroacia nga e cila marrim kryesisht peshk të thatë, açuge, qepë e grurë, e ndjekur nga Kosova nga ku marrim qumësht, patate, kafe, miell, ujë e birrë, më pas Mali i Zi me miell, birrë nga malti dhe verë.
Nga Bosnja dhe Hercegovina importojmë qumësht, mish, brumëra e cigare, ndërsa nga Moldavia kryesisht zarzavate, kryesisht qepë të thata si edhe tërshërë. Vendet e Ballkanin jo rrallë kanë pasur probleme mes tyre pavarësisht marrëveshjes së CEFTA-s. Më i fundit ishte rasti i bllokimit të perimeve shqiptare në Maqedoni. Fqinji ynë juglindor, bllokoi importin e perimeve të freskëta nga Shqipëria. Çështja u mor në konsideratë nga CEFTA pasi Ministria e Bujqesisë e Shqipërisë kërkoi rishikim të situatës nga autoritetet e kësaj organizate.
Por vendet e rajonit kanë shërbyer ndonjëherë edhe si gjetje rrugëzgjidhjesh kryesisht për “të thyer” embargon e fundit ruse që bllokoi importin e produkteve bujqësore nga disa vende përfshirë edhe Shqipërinë. Këtu shfaqet sërisht Serbia. Pikërisht Serbia, i shërbeu fermerëve shqiptarë si rrugë për eksportin e perimeve shqiptare në Rusi. Tregtarët pohuan asokohe për AgroWeb se rruga që ata zgjidhnin ishte eksporti i produkteve Shqiptare në Serbi dhe nga atje rieksportohen në Rusi ku produktet shqiptare shiteshin me “Made in Serbia”.