Sipas raporteve zyrtare nga Ministria e Financave të Republikës së Kosovës, buxheti për subvencione dhe transfere për vitin 2015 ka pasur ngritje për 57 milionë euro krahasuar me atë të vitit 2014.
Trendi ka ndryshuar kahe menjëherë, meqë për vitin 2016 është planifikuar ulje e shpenzimeve për subvencione dhe transfere.
Duke pasur parasysh që sektori i bujqësisë është një ndër shtyllat kryesore të ekonomisë së Kosovës, Qeveria e Kosovës kishte deklaruar se do të përpiqet për të investuar më shumë në këtë sektor si një opsion për rritjen e ekonomisë së saj.
Në vitin 2015 Kosova ka shpenzuar 60 milionë euro për sektorin e bujqësisë, ndërsa për vitin 2016 investimi është zvogëluar në 57 milionë euro. Ky ndryshim mund të reflektohet në një rënie në prodhimin bujqësor që mund të ketë impakt të drejtpërdrejtë edhe në sigurinë e ushqimit në vend.
Për më tepër, për shkak të ndikimit të mundshëm negativ në motivimin e fermerëve nga Qeveria, shumë prej tyre mund të largohen nga industria e prodhimit komercial të produkteve ushqimore, për shkak të mbështetjes së pamjaftueshme dhe fitimeve simbolike, për të mos thënë edhe humbjeve.
Një implikim me rëndësi nga ky zhvillim është ngecja e rritjes ekonomike në vend, ku si rezultat i kësaj ngecje edhe mund të rritet nevoja për të importuar më shumë ushqime nga vendet fqinje. Po ashtu një pjesë e tokës së punuar mund të mbetet e pashfrytëzuar. Dhe në këtë mënyrë në formë zinxhirore mund të ketë ndikime negative edhe në cilësinë e ushqimit të prodhuar.
Një zgjidhje e mundshme për evitimin e zhvillimeve jo të favorshme nga ndryshimet në subvencionet e buxhetit për vitin 2016 për sektorin e bujqësisë, mund të jetë ofrimi i sigurimit financiar për fermerët përmes bankave, duke ju ofruar kredimit me normë më të ulët të interesit.
Planifikimi buxhetor për vitin 2016 për subvencione, edhe pse më i ulët, mund të kompensohet falë mbështetjes nga investimet e huaja dhe granteve, duke përfshirë këtu projektet dhe programet e USAID-it në Kosovë, që kontribuojnë në zhvillimin e sektorit të bujqësisë dhe në krijimin e vende të reja të punës, dhe rrjedhimisht edhe në zhvillimin ekonomik të Kosovës. ( Autorja është studente e Universitetit Amerikan në Kosovë. )