Ka dy muaj që Tropoja po zien për shkak të njoftimeve se në Luginën e Valbonës do të fillojë ndërtimi i 11 hidrocentraleve, të cilët, do të shfrytëzojnë ujin e Valbonës, si dhe të përrenjve e të përroskave, që derdhen në të, duke dëmtuar rëndë aortën, venat dhe kapilarët e kësaj lugine të mrekullueshme. Shqetësimi për rrezikun që paraqet kjo masakër mjedisore ka çuar në organizimin e protestave në Bajram Curr, Tiranë dhe në New York (nga emigrantët tanë atje), si qindra letra nga ata që preken drejtpërsëdrejti nga kjo masakër – banorët e saj dhe shoqëritë turistike vendore dhe të huaja. Në të vërtetë, ky vendim nuk i prek vetëm banoret e Luginës së Valbonës apo shoqatat turistike. Ai më prek edhe mua, si tropojan, por edhe fëmijët e mi që janë rritur me dashurinë për Valbonën, e cila çdo vit, na pret e na përcjell, siç di vetëm ajo sepse lugina e Valbonës është pjesë e së mirës sonë të përbashkët, siç është ajri dhe dielli. Pas shpalljes së saj si “Park Kombëtar”, në vitin 1996, u mendua se shteti do të ndërhynte me politika zhvillimore dhe vendime që do të ishin në përshtatje me natyrën e Alpeve dhe interesat e njerëzve që banojnë aty, si për shembull investime për projekte infrastrukturore e turistike; miratimi, nga KKRRT dhe zbatimi rigoroz i një plani urbanistik për fshatin Valbonë; disiplinimi i gjuetisë dhe mbrojtja e shtimi i pyjeve, pra politika që do të mundësonin mbrojtjen dhe zhvillimin e luginës.
Kanë kaluar 20 vjet, por politika dhe vendime të kësaj natyre nuk u panë. Nuk po respektohet legjislacioni vendor dhe ai ndërkombëtar për ruajtjen e specieve të rrezikuara të faunës dhe florës së egër, nuk mbron biodiversitetin dhe ekosistemin, pra natyrën; nuk merr në konsideratë, përkundrazi, nëpërkëmb vlerat historike, kulturore e shpirtërore të njerëzve që jetojnë aty.
Kjo qeveri po injoron të drejtën e sanksionuar nga ligjet e brendshme, nga konventat dhe marrëveshjet ndërkombëtare të grupeve të interesit dhe të popullsisë vendore për të marrë pjesë në vendimmarrjen mjedisore. nuk merr në konsideratë potencialet turistike të zonës, por as interesin, mundësitë dhe përvojat e deritanishme të banorëve të saj për zhvillimin e turizmit.