Kreu i LZHK, Dashamir Shehi, i pyetur për kushtin e vendosur nga PD-ja për zgjedhjet e ardhshme, krijimin e një qeverie teknike, deklaron se “nuk ka motiv për të shkuar në zgjedhje të parakohshme, por një qeveri tjetër, që do të merrte këtë lloj mandati, mendoj se është e nevojshme dhe opsioni i krijimit të qeverisë teknike duhet mbështetur.”
Intervista e plota dhënë gazetës Panorama.
Z.Shehi, si e shikoni propozimin e kreut të PDsë, Basha, për krijimin e një qeverie teknike dhe vendosjen e këtij kushti për zhvillimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme?
Propozimin e shoh në avantazh të opozitës. Çdo lloj opozite do të pëlqente që zgjedhjet të zhvilloheshin nga një qeveri teknike. Në vendin tonë, qeveritë e kanë përdorur pushtetin që kanë gjithmonë gjatë zgjedhjeve. Sigurisht që do të ishte një avantazh shumë i madh nëse do të realizohet, megjithëse nuk e di nëse janë kushtet për krijimin e kësaj qeverie. Unë gjykoj që kjo është një kërkesë që ka disa arsyetime brenda saj. Kam qenë gjithmonë mbështetës i krijimit të kushteve për zhvillimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme e të hiqen duart nga kontrolli qeveritar. Mirëpo tani kemi disa parakushte të tjera. Fillimisht duhet miratuar një ligj i ri zgjedhor. Me apo pa qeveri teknike, me kodin aktual zgjedhor shanset për zhvillimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme janë minimale.
Kjo ka qenë edhe një kërkesë e deklaruar nga vetë kreu i opozitës, Basha. Kohët e fundit kemi dëgjuar edhe teori për zhvillimin e zgjedhjeve të parakohshme. Personalisht nuk jam për zhvillimin e zgjedhjeve të parakohshme, sepse kjo lëvizje nuk do të shkonte në favor të opozitës. Në këto kushte, ne ligj zgjedhor nuk kemi, ligji për dekriminalizimin, për të cilin u bë një zhurmë e madhe, nuk ka filluar ende të japë efektet, pasi s’ka asnjë pastrim as të klasës politike dhe as të administratës. Edhe ky do të mund të ishte një parakusht për zhvillimin e zgjedhjeve të ndershme. Sepse nëse do të riciklojmë të njëjtët personazhe, nuk do të kishte kuptim. Ndërkohë që edhe ndryshimet kushtetuese për Reformën në Drejtësi që u miratua me shumë tam tame, ka nevojë minimalisht që të hyjë në fuqi. Kërkon minimalisht 56 muaj që të hyjë në fuqi.
Ne kemi disa skadenca, kemi disa afate politike, të cilat na detyrojnë që të shkojmë në zgjedhje minimalisht në pranverën që vjen. Ky është qëndrimi dhe rekomandimi im për kolegët e mi opozitarë. Një qeveri teknike do të ishte e pëlqyeshme, pasi do të mund t’i jepte maksimumin e shansit opozitës, por edhe të gjithë shqiptarëve që të votonin në mënyrë të drejtë. Një qeveri teknike duhet shfrytëzuar që të marrë një mandat për të plotësuar këta tre komponentë, që janë: Ligji i ri zgjedhor, ligji i dekriminalizimit dhe fillimi i Reformës në Drejtësi. Do të kishte sens nëse kjo lloj qeverie teknike do të merrte këtë lloj mandati politik. Nëse do të ndodhte kështu, unë mendoj se pas shumë vitesh, 2017a do të na ofronte një palë zgjedhje që do t’u afroheshin atyre të Europës.
Ka pasur edhe zëra brenda vetë opozitës që e kanë kundërshtuar opsionin e një qeverie teknike. Z. Ruli kujtoi rastet kur në vendin tonë, në ’91 dhe në ’97, janë krijuar qeveri teknike dhe ato kanë qenë vite krizash.
Qeveritë teknike të vitit 1991 dhe 1997 kanë qenë produkt i një krize. Unë nuk po flas për një krizë. Prandaj edhe më sipër theksova se nuk ka motiv për të shkuar në zgjedhje të parakohshme. Por një qeveri tjetër, që do të merrte këtë lloj mandati, unë mendoj se është e nevojshme. Unë mendoj se opsioni i krijimit të qeverisë teknike duhet mbështetur. Opsioni i zgjedhjeve të parakohshme nuk do të shkonte në favor të opozitës, sepse gjithë këto ligje që u bënë do të mbeteshin në vend. Z. Basha pak ditë më parë doli dhe rikonfirmoi idenë e ndryshimit të Kodit Zgjedhor. Ndaj edhe një qeveri teknike ka logjikë për realizimin e këtij procesi të rëndësishëm në politikën shqiptare. Por në gjykimin tim, ky do të ishte një luks për opozitën që të shkonte në zgjedhje përmes një qeverie teknike. Por rrethanat dhe vetë kriza që ka brenda kjo maxhorancë mund ta prodhojnë.
Idenë e qeverisë teknike e hodhi Meta, por ditët e fundit, situata brenda maxhorancës duket më se e qetë. Çfarë qëndrimi do të mbajë opozita?
Ne si opozitë do të bëhemi gati të hyjmë me çfarëdo qeverie në zgjedhje. Mbetet për t’u parë kur të fillojë sesioni i ri politik se sa do të jemi në gjendje ta realizojmë këtë tezë. Por gjithsesi, me apo pa qeveri teknike, ne do të bëhemi gati për zgjedhje. Kur bëhesh gati për zgjedhje, do të bëhesh gati me të gjitha armët politike. Shtatori është përcaktues në gjykimin tim për përgatitjen e zgjedhjeve të reja. Gjykoj se në këtë muaj duhet përmbyllur edhe Reforma në Drejtësi, sepse një tejzgjatje e kotë do ta bënte inefiçente për zgjedhjet e reja.
Meqenëse folët për Reformën në Drejtësi, si i keni lexuar deklaratat e përfaqësuesve të opozitës për kolegët e tyre që deklaruan votën pro reformës? Mendoni se ka pasur një dobësim të negociatorëve të opozitës për shkak të këtyre votave “pro” të deklaruara pro nga radhët e PD-së?
Unë mendoj se reforma mori formën më të mirë të mundshme për shkak të miratimit të saj me konsensus. Kush kërkon të nxjerrë “dhjamë edhe prej pleshtit”, nuk më duket sikur ezauron ndonjë tezë me vlerë politike. Më mirë se kaq unë nuk gjykoj se do ta negocionte njeri çështjen e reformës. Ka edhe diçka, duhet të kuptojmë se një negocim i pafundmë dhe një këmbëngulje e kotë në çështje të caktuara nuk tregojnë ndonjë forcë të madhe. Kryeneçë sia nuk është forcë. Do t’u kujtoja shumë prej kolegëve opozitarë se një lloj kryeneçësie e kotë dhe e panevojshme u bë gjatë reformës territoriale. Dhe në fund përfunduam në zgjedhje me ligjin e socialistëve, me kryetarët e socialistëve dhe në gjykimin tim, ka qenë një vendim që do të peshojë në historinë politike edhe për zgjedhjet e ardhshme. Kështu që mendoj se me Reformën në Drejtësi u bë më e mira e mundshme. Sigurisht që është fakt që u arrit në “inekstremis”, pasi unë do të kisha preferuar mënyra të tjera për të negociuar idetë tona, por gjithsesi u bë një zgjedhje e mirë.