4 Ambasadorë, përfaqësues të trupës diplomatike të Hungarisë, Kroacisë, Italisë dhe Australisë të akredituar në vendin tonë, kanë vizituar për herë të parë luginën e Valbonës. Të impresionuar nga bukuritë e kësaj perle të paprekur të natyrës, diplomatët e huaj premtuan të sjellin më shumë turistë dhe investitorë nga vendet e tyre, për promovimin e destinacionit turistik.
Tropoja me bukurinë karakteristike të natyrës së ashpër dhe të ruajtur me fanatizëm nga vendasit, çdo ditë e më shumë po shndërrohet në një zonë të shumë frekuentuar nga turiste te huaj e vendas.
Ambasadorët e akredituar në Shqipëri, të kuriozuar i janë shtuar numrit të vizitorëve që kanë zgjedhur ta kalonin në Valbonë fundjavën.
Vizitën e parë e bënë në Muzeun e Tropojës, i cili po ringrihet pas dëmtimit në vitet ‘97.
Mbrëmja i gjeti në luginën e Valbonës.
Darka me gatimet tradicionale, shoqëruar nga muzika dhe vallet tradicionale ndezën atmosferën tek të ftuarit, mes të cilëve dhjetëra turistë nga e gjithë bota.
Udhëtimi i diplomatëve në ditën e dytë të tyre ishte konceptuar në formën e një ekspedite, ku panë nga afër ujëvarën e Rrogamit, aty ku buron lumi i Valbonës, rreth 1500 metra mbi nivelin e detit.
Ambasadori i Hungarisë, Antal Heizer, zgjodhi ta thotë në shqip përshtypjen surprizuese që i la Valbona.
Antal Heizer: “Jemi këtu me kolegë të tjerë Ambasadorë për të parë këto vende të bukura, të sjellim turistë nga vendet tona dhe sigurisht, investitorë. E ardhmja e Shqipërisë është te turizmi, për mua është si një minizvicër në Shqipëri”.
Ndërsa për diplomaten kroate, bukuritë e Valbonës janë të krahasueshme vetëm me Zvicrën.
Sanja Bujas-Juraga:“Jam e impresionuar nga bukuritë e Valbonës, klima, uji, relievi këtu janë të pakrahasueshëm, si një minizvicër. Valbona është një bukuri turistike ende e pazbuluar, do punojmë për këtë që të bëhet një destinacion edhe më popullor. Turizmi është e ardhmja e Shqipërisë, ndaj duhet promovuar dhe mbrojtur”.
Ambasadorët e Italisë dhe Australisë premtuan të sjellin modelin e zhvillimit turistik të vendeve nga ata vijnë, për të rritur numrin e turistëve dhe për të ruajtur të paprekur natyrën.
Ambasadori italian, Alberto Cutillo: Nuk kam parë çdo gjë, por përshtypja e parë është mrekulluese. Shqipëria ka shumë mundësi të punojë ngushtë më komunitettin italian për të zhvilluar turizmin, por theksoj, pa dëmtuar natyrën. Ndaj dua të sjell këtu disa ekspertë italianë të punojnë me autoritetet shqiptare.
Ambasadorja e Australisë, Jenny Bloomfield: Duhet të japim një shtysë për të zhvilluar turizmin. Pika e parë e kontaktit të vizitorëve është impresionuese. Duhet bërë edhe më shumë për promovimin e turizmit. Zona është një perlë e rrallë turistike, një destinacion ku tradicionalja është gërshetuar ngushtë me natyrën. Australianët që kanë qenë në Shqipëri janë aventurierë dhe tani që ndodhem këtu kuptoj pse e kanë zgjedhur Valbonën.
Gjate udhëtimit të gjatë në këmbë, lokalet në thellësi të Luginës ofruan drekën me ushqime bio, ku më e preferuar ishte flia tradicionale e zonës.
Vizita e Ambasadorëve, vjen pak ditë pas mbajtjes së një proteste të shoqërisë civile për ruajtjen e Parkut të Valbonës nga një projekt për ndërtimin e HEC-eve në zonë.