Familjarët e viktimave si dhe politikanët ukrainas kanë përkujtuar 30-vjetorin e katastrofës së Çernobilit. Presidenti ukrainas, Petro Poroshenko, si dhe Kryeministri Volodymir Groysman, në një ceremoni zyrtare vendosën lule pranë monumentit të viktimave të Cernobilit që ndodhet në Kiev.
Por një ceremonia prekëse ishte ajo e mbajtur në qytetin Slavutic, i cili u ndërtua për të zhvendosur 250.000 banorët që jetonin në Çernobil dhe Pripjat.
Familjarët por edhe qytetarë të ndryshëm, u mblodhën sëbashku për të përkujtuar tragjedinë duke vendosur lule pranë portreteve të 31 viktimave që humbën jetën menjëherë pas incidentit më të madh të një centrali bërthamor. Vasil Markin, i cili ishte një inxhinjer në centralin e Cernobilit, thotë se kjo tragjedi do të jetë e paharrueshme.
“Kjo tragjedi do të qëndrojë me ne përgjatë gjithë jetës tonë. Nuk do të jem në gjëndje t’a harroj dhe besoj se një gjë e tillë është e njëjtë për të gjithë banorët që u zhvendosën. Kam qënë aty që prej ditës së parë e deri në momentin e katastrofës”.
Më 26 prill të vitit 1986, reaktori i katërt i centralit shpërtheu duke lëshuar një sasi të madhe lënde radioactive në atmosferë. 30 vite pas tragjedisë, qytetet Pripjat dhe Cernobil vijojnë të mbeten të izoluara për shkak të efekteve që mund të sjellin lëndët radioaktive. Zona përreth centralit është e pabanuar në një rreze prej 30 kilometrash.
Zjarrëfikësit që shuan zjarret dhe humbën jetën gjatë mbrëmjes së shpërthimit janë konsideruar heronj, pasi evituan përshkallëzimin e kësaj tragjedie.